
Dr. Bujar Gashi u lind më 08 korrik 1977 në Prishtinë. Ai është një profesionist i shquar në fushën e shëndetësisë, me përvojë të gjatë klinike, menaxheriale dhe akademike, si dhe me angazhim aktiv në politikëbërjen shëndetësore në Kosovë.
Arsimin e mesëm e përfundoi në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme. Më tej, përfundoi specializimin në Mjekësi Familjare, duke fituar titullin Specialist i Mjekësisë Familjare. Gjithashtu, ka përfunduar studimet master në Menaxhment Shëndetësor në Kolegjin ILIRIA në Republikën e Kosovës.
Në aspektin profesional, Dr. Gashi është trajner i certifikuar në programin specialistik të Mjekësisë Familjare nga RCGP në Londër, si dhe anëtar i exam board-it në këtë program. Ai është gjithashtu anëtar i komisionit për licencim dhe rilicencim në Odën e Mjekëve dhe anëtar ndërkombëtar i Kolegjit Mbretëror për Mjekët Familjarë në Londër. Instruktor i certifikuar për CPR (Reanimim Kardiopulmonar), menaxhimin e traumave dhe përkrahjen e avancuar kardiake për jetë (ACLS), të gjitha të realizuara në Linköping, Suedi. Për më tepër, është i certifikuar për ekografi të abdomenit, pelvikut dhe tiroides në Prishtinë.
Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë aktive dhe pasive me prezantime profesionale dhe menaxheriale në mbi 30 konferenca kombëtare dhe evropiane. Ka kontribuar në takime të ndryshme në bashkësi lokale në kuadër të komitetit për siguri në bashkësi, si dhe ka bashkëpunuar me organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare si AQH, HIS dhe komisione evropiane.
Në fushën e kërkimit shkencor, është autor i studimit “Seroprevalenca e SARS-CoV-2”, botuar në MDPI në vitin 2021 (impact factor 3.3), si dhe bashkautor i dy publikimeve të tjera gjatë pandemisë.
Karrierën profesionale e ka filluar si infermier në Qendrën Emergjente në QKUK gjatë viteve 1999–2002, për të vazhduar si infermier dhe më pas kryeinfermier në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë deri në vitin 2008. Në periudhën 2008–2014 ka punuar si mjek i përgjithshëm në këtë qendër, ndërsa paralelisht gjatë viteve 2012–2015 ka ushtruar detyrën e Drejtorit Mjekësor në Klinikën Paramed në Prishtinë. Nga viti 2014 deri në 2016 ishte shef i ndërrimit në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, ndërsa në periudhën 2016–2018 ka shërbyer si Drejtor i kësaj qendre.
Gjatë drejtimit të Qendrës së Mjekësisë Urgjente, përveç krijimit të një atmosfere kolegiale dhe profesionale përmes auditimeve dhe hulumtimeve disa mujore, arriti rezultate konkrete, si zvogëlimi i kohës mesatare të reagimit nga 14.22 minuta në 6.1 minuta dhe implementimi i protokollit për trajtimin e infarktit akut të miokardit brenda 120 minutave.
Në periudhën 2018–2021 ka qenë Drejtor i Drejtoratit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ku ka menaxhuar rreth 850 punonjës dhe 33 institucione shëndetësore para, gjatë dhe pas pandemisë. Njëkohësisht, gjatë viteve 2019–2022 ka qenë Kryesues i Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Që nga viti 2019 është ligjërues në Fakultetin e Infermierisë në Kolegjin AAB.
Nga viti 2021 dhe në vazhdim, ushtron detyrën e Drejtorit të QKMF-së në Prishtinë, ku menaxhon mbi 750 punonjës në 30 institucione dhe mbikëqyr mbi 3500 vizita dhe 9500 shërbime ditore në kujdesin parësor shëndetësor në Kryeqytet.
Në aspektin e politikëbërjes shëndetësore, ka qenë anëtar i grupeve punuese për hartimin e Udhëzimit Administrativ 04/2020 dhe statutit unik të QKMF-ve në Kosovë. Gjithashtu, ka qenë pjesë e grupit punues për funksionin mbështetës të planit të reagimit kombëtar (FM8), i cili gjeti zbatim gjatë pandemisë. Ka kontribuar si anëtar i komitetit mbikëqyrës në Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin e situatës gjatë pandemisë, si dhe në grupin mbikëqyrës të reaksioneve të vaksinave kundër SARS-CoV-2. Po ashtu, ka qenë anëtar i grupit monitorues për përzgjedhjen e mjekut familjar në nivel vendi dhe anëtar i Bordit të Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës gjatë viteve 2019–2020.
Në angazhimin politik, është anëtar i degës së 4-të të LDK-së në Prishtinë dhe ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në përkrahje të qytetarëve dhe institucioneve shëndetësore gjatë pandemisë, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet qendrore. Ka ndërtuar raporte të mira profesionale dhe kolegiale me drejtorët e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale dhe drejtuesit e QKMF-ve në të gjitha komunat e Kosovës, si dhe ka kontribuar në koordinimin me strukturat partiake për menaxhimin efektiv të krizës shëndetësore.
Ka qenë pjesë aktive e fushatave zgjedhore të viteve 2021 dhe 2025, duke kontribuar së bashku me strukturat e LDK-së në lagjen Kalabria e Re, në Kryeqytet dhe në gjithë Kosovën, me qëllim rikthimin e Prishtinës dhe rritjen e mbështetjes elektorale. Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, është angazhuar për arritjen e një rezultati fitues që në rundin e parë.
Me mbi 10 vite përvojë në menaxhim dhe 16 vite përvojë pune direkte me qytetarët, ka ndërtuar raporte të qëndrueshme profesionale, njerëzore dhe institucionale, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit dhe shërbimeve për qytetarët. Gjithashtu, përmes një prezence të vazhdueshme në media, me qindra paraqitje televizive në emisione të ndryshme shëndetësore, informative, argëtuese dhe politike, ka ndërtuar një imazh pozitiv publik.
Profili i Dr. Bujar Gashit është i njohur gjerësisht për qytetarët e Kryeqytetit dhe më gjerë, duke reflektuar një kombinim të përvojës profesionale, angazhimit publik dhe besimit qytetar, për të cilin nuk kërkohet promovim shtesë.
E-mail: bujar.a.gashi@rks-gov.net
Asistente: mergime.gashi@rks-gov.net
Tel: 038/233-575
Drejtoria e Shëndetësisë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe mbështetur në udhëzimet strategjike dhe politike të Kryetarit të Komunës ,në kuadër të fushë veprimtarisë së saj ushtron dhe është përgjegjëse për ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve specifike për të arritur objektivat e shërbimit të shëndetësisë primare në Komunën së Prishtinës;
Vlerëson nevojat lokale shëndetësore;
Harton buxhetin, në përputhje me nevojat lokale dhe dispozitat ligjore në fuqi;
Zbaton kujdesin parësor shëndetësor duke i dhënë përparësi zbatimit të masave parandaluese nëpërmjet zbatimit të konceptit të mjekësisë familjare;
Zbaton normat dhe standardet e infrastrukturës dhe burimeve njerëzore sipas akteve ligjore të miratuara nga MSH-së;
Vendos dhe mbledh bashkëpagesat brenda kornizës së përcaktuar nga ministritë e linjës;
Përcakton prioritetet lokale dhe objektivat në bazë të informatave, në përputhje me strategjinë e kujdesit parësor shëndetësor;
Ushtron kompetenca dhe përgjegjësi të tjera që dalin nga ligjet e veçanta, Statuti i Komunës, aktet nënligjore dhe të deleguara nga pushteti qendror;
Mbikëqyrë situatën epidemiologjike në nivel të komunës;
Mbledhë dhe analizon informatat në fushën shëndetësore në nivel lokal;
Koordinon dhe mbikëqyrë punën e Qendrës së Mjekësisë Urgjente, QKMF - së, QMF-së dhe ambulancave shëndetësore;
Organizon fushata sensibilizuese me organizatat qeveritare dhe jo qeveritare dhe harton marrëveshje bashkëpunimi në fushën shëndetësore;
Raporton lidhur me ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të arriturave komunale në këtë fushë;
Harton propozimet për lirimet nga shërbimet ndaj qytetarëve, nëse skemat janë bazuar mbi kriteret e objektivit të hapur ndaj publikut dhe në pajtueshmëri me ligjin në fuqi;
Ndërmarrë veprime për të siguruar fonde të mjaftueshme për ngritjen e vazhdueshme profesionale të profesionistëve shëndetësorë nëpërmjet trajnimeve specifike, në harmoni me aktet ligjore në fuqi;
Zbaton kujdesit parësor shëndetësor në sektorin publik, nëpërmjet shërbimeve të mjekësisë familjare, dhe përcjellja e gjendjes shëndetësore të qytetarëve në territorin e komunës;
Harton strategjitë për kujdesin parësor shëndetësor, bazuar në nevojat e identifikuara në nivel lokal duke u dhënë prioritet masave parandaluese, dhe në respektim të gjendjes shëndetësore, moshës, gjinisë dhe pozitës ekonomiko - sociale të qytetarëve dhe kushteve dhe mundësive në ofrimin e kujdesit shëndetësor; kushteve teknologjike - mjekësore, distancës dhe konfiguracionit gjeografik, si dhe strukturës dhe përbërjes së institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor;
Ndërmerr masa parandaluese për zbulimin dhe diagnostikimin e hershëm, mjekimin, shërimin dhe rehabilitimin e sëmundjeve, çrregullimeve dhe lëndimeve, përfshirë edhe ndërhyrjet e vogla kirurgjike;
Organizon dhe zbaton procesin e imunizimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi, si një nga masat themelore të kujdesit ndaj shëndetit publik;
Kujdeset për përparimin e shëndetit të fëmijëve, të rinjve dhe grupeve tjera vulnerabile;
Kujdeset për përparimin e shëndetit riprodhues;
Promovon shëndetin oral dhe kujdesin themelor stomatologjik si dhe shëndetin mendor, në pajtim me metodat e avancuara;
Kujdeset për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit publik të qytetarëve të komunës, nëpërmjet aktiviteteve parandaluese (por duke mos u kufizuar vetëm në këto), si: promovimit të mënyrës së shëndoshë të jetesës, edukimit shëndetësor, ndërmarrjes së masave të përgjithshme kundër epidemike dhe preventive, si: dezinsektimi hapësinor, deratizimi dhe dezinfektimi, kontrollimi i mjedisit, kontrollimi i shkaktarëve, si dhe parandalimi i sëmundjeve, çrregullimeve, lëndimeve dhe gjendjeve me rëndësi sociale mjekësore;
Zhvillon programe për aftësimin profesional të punëtorëve shëndetësorë nëpërmjet “Zhvillimit të vazhdueshëm profesional” (ZHVP), me qëllim të ngritjes së cilësisë së kujdesit shëndetësor;
Bashkëpunon me kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor, në pajtim me legjislacionin në fuqi;
Kryen edhe punë të tjera, në përputhje me ligjet e aplikueshme në kuadër të fushë veprimtarisë së Drejtorisë.