Kryeqyteti shënoi përvjetorin e Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës

- 18 Apr 2024

Kryeqyteti te enjten, ka shënuar përvjetorin e Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës duke përkujtuar 66 dëshmorët dhe 396 civilët e vrarë gjatë viteve 1998 – 1999, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, me drejtorët e Kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Dega Prishtinë, Fatmir Sopi dhe Kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së, dega në Prishtinë, Sylë Vitia, në orën 10:00 bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania në Prishtinë.

Më pas homazhe u bënë edhe në fshatin Makovc, në kompleksin e varrezave të 94 dëshmorëve dhe martirëve të vrarë nga shteti serb gjatë luftës së fundit.

Vizitë u realizua edhe në kompleksin e varrezave në fshatrat Mramur dhe Marec.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, vlerësoi lart sakrificën e gjithë dëshmorëve dhe martirëve të luftës për lirinë e vendit.

“Këta dëshmorë nuk janë thjesht emra mbi gurë të varrit. Ata ishin vëllezërit, motrat, prindërit tanë - njerëz të zakonshëm që u ngritën përmbi shtypjen, përmbi frikën e përmbi vetveten, për t'u bërë herojtë je ashtëzakonshëm të vendit tonë. Ata ishin mishërimi i një ëndrre -- të ëndrrës që liria, sado e shtrenjtë, ishte ëndrra për të cilën ia vlente me vdekë. Sot, ne që përfitojmë prej sakrificës së tyre, qëndrojmë ballëlartë në një tokë të lirë” – deklaroi kryetari Rama.

Pasditen e së enjtes, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, u mbajt akademi përkujtimore për Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës.

“ Rruga që kemi përpara patjetër se do t’i ketë pengesat e saj. Do të ketë mosmarrëveshje, do të ketë sfida. Por le ta kujtojmë unitetin që treguan dëshmorët tanë përballë pasigurive të pamendueshme. Prandaj, vendosmëria e tyre e palëndunshme drejt një qëllimi të përbashkët le të jetë drita që na orienton. Sivjet, në ditën e dëshmorëve, le të zotohemi se do të bëhemi brezi që jetëson ëndrrën e tyre. Le ta ndërtojmë një Kosovë që jo veç është e lirë, por është edhe një fener shprese, një dëshmi e fuqisë së unitetit dhe e vendosmërisë sonë të palëkundshme. Trashëgimia që dëshmorët na e lënë, do të na frymëzojë përgjithmonë. Kurse kujtimi për ta, do të mbetet një zjarr që nuk do të shuhet kurrë” – deklaroi Rama.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me Kryetarin e Organizaës së Veteranëve të Luftës, Dega Prishtinë,Fatmir Sopi, gjatë ditës dhuruan gjak për Ditën e Dëshmorëve.