Hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Kryeqytet

- 12 Apr 2024

Kryeqyteti hapi sot dyert e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit, një event i shumëpritur që synon të nxjerrë në pah potencialin e lartë turistik të qytetit dhe të gjithë vendit. Ky panair vjen si një mundësi e shkëlqyer për të promovuar jo vetëm bukuritë urbane, por edhe pasuritë natyrore dhe kulturore që ndodhen në periferi të qytetit si Badovc, Germia si dhe zonat historike të Qendrës dhe Ulpianës.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes, theksoi rëndësinë e turizmit si një sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të qytetit. "Sot shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për turizmin në Kryeqytet, ku çdo vizitor do të mund të zbulojë dhe të përjetojë mrekullitë që na rrethojnë," tha ai.

Panairi do të ofrojë gjatë ditëve të tij një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë prezantime të destinacioneve turistike, ëorkshop-e për zhvillimin e turizmit qëndrueshëm, si dhe paneele diskutimi me ekspertë të fushës. Ky event pritet të tërheqë një numër të madh vizitorësh lokalë dhe ndërkombëtarë, duke kontribuar në një njohje më të gjerë të pasurive që ofron Kryeqyteti.

Kryetari u shpreh se angazhimi në këto aktivitete është një hap vital në drejtim të përforcimit të imazhit të Kryeqytetit si një destinacion turistik të rangut të parë, duke u bërë kështu një pikë referimi për vizitorët që kërkojnë përvoja unike dhe autentike.

Panairi i Turizmit mbetet i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë dhe të mësojnë më shumë për ofertat turistike të Kryeqytetit dhe rrethinave të tij. Ju ftojmë të merrni pjesë dhe të zbuloni vetë thesarin e fshehur të bukurive të qytetit tonë.