Shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve

- 08 Apr 2024

Në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, u hap ekspozitë e cila solli së bashku komunitetin rom, artistët dhe qytetarët për të shënuar ditën ndërkombëtare të romëve. Ne ekspozitë morën pjesë kryetari i Kryeqytetit, Perparim Rama, nënkryetarja, Jehona Lushaku dhe shefi I Komitetit për Komunitete në kuadër të Kryeqytetit, Betim Abdullahu, për të nderuar dhe festuar trashëgiminë dhe kontributet e komunitetit rom.

Kryetari i Kryeqytetit, z. Rama, në fjalën e tij, shprehu ngrohtësinë dhe mirënjohjen e tij ndaj komunitetit rom.

“Në shenjë mirënjohjeje për këtë komunitet, gjatë prillit po ofrojmë pajisje me dokumente civile pa pagesë, ndërsa gjatë gjithë vitit do të sigurojmë mbështetje me materiale shkollore dhe ushqim. Duke qëndruar së bashku e duke përqafuar veçantinë e njëri-tjetrit, ne ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme e gjithëpërfshirëse!" – deklaroi Rama.

Ekspozita u shfaq si një panoramë e pasur e kulturës, artit dhe historisë së romëve, duke ofruar një mundësi unike për të mësuar më shumë për traditat e tyre dhe për të vlerësuar kontributin e tyre në komunitetin e gjerë.

Ky event në zemër të kryeqytetit simbolizon një hap të rëndësishëm drejt njohjes dhe respektimit të larmisë kulturore dhe kontributit të komunitetit rom në zhvillimin e shoqërisë. Kryeqyteti vazhdon të angazhohet në përmirësimin e jetës së romëve përmes iniciativave të ndryshme sociale dhe kulturore, duke dëshmuar angazhimin e tij për një të ardhme më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë.