Përurohet projekti i sistemit diellor të çative dhe stacionit të karikimit të automjeteve elektrike në kryeqytet

- 26 Mar 2024

Në parkingun e Parkun e Gërmisë sot u përurua zyrtarisht projekti i sistemit diellor të çative dhe stacionit të karikimit të automjeteve elektrike. Ky projekt, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Gjermania, synon reduktimin e emetimeve të karbonit dhe nxitjen e përdorimit të burimeve të energjisë së ripërtërishme në rajon.


Projekti “Parkingu Solar Prishtina” paraqet një hap inovativ në fushën e energjisë së qëndrueshme, me instalimin e 36.4 kW paneleve fotovoltaike solare. Pritet që kjo iniciativë të ulë emetimet e CO2 me rreth 44.7125 ton në vit, duke u bërë një model për praktikat e qëndrueshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.


Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, e vlerësoi projektin si një hap të rëndësishëm dhe simbolik për kryeqytetin, duke theksuar se ky veprim shënon fillimin e një ere të re dhe të gjelbër që do të pasqyrohet në ndërtesat dhe hapësirat komunale.


AnnaCarin Platon, udhëheqësja e Seksionit Politik në BE në Kosovë, theksoi se projekti jo vetëm që do të sigurojë ndriçimin e mjaftueshëm për Parkun e Gërmisë, por edhe do të kontribuojë në mirëmbajtjen e tij. Platon shtoi se projekti është pjesë e një mbështetjeje prej tetë milionë eurosh për tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane, dhe se BE po punon ngushtë me Kosovën për të ndjekur reforma në kuadër të Planit të Gjelbër.


Vera Baumann, udhëheqësja për Bashkëpunim në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, theksoi angazhimin e tyre për të kontribuar dhe punuar drejt zbatimit të Agjendës së Gjelbër, duke dëshmuar kështu përkushtimin e vazhdueshëm ndaj zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.