Mbahet takimi informues me përfaqësues të bizneseve për Rregulloren e Menaxhimit të Mbeturinave

- 15 Feb 2024

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me drejtorët me Drejtorin i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, Drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit, Florian Dushi, Shefin i Sektorit të Rendit në Drejtorinë e Inspektoriatit, Alban Ymeri, Dukagjin Gashi, Zyrtar për Mbeturina në Drejtorinë e Shërbimeve Publike si dhe Riza Selimi, Përfaqësues nga Kompania Regjionale “Pastrimi”, diskutuan me përfaqësues të bizneseve të cilat veprojnë në Prishtinë për Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, ku u njoftuan përfaqësuesit e bizneseve për këtë dokument të rëndësishëm të Kryeqytetit, si dhe obligimet që kanë ata ndaj institucioneve si dhe Kryeqyteti ndaj tyre.

Me këtë rast, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama tha se trajtimi i cështjes së mbeturinave është një pikë kyqe.

“Po punojmë shumë që ta zgjidhim këtë sfidë në bashkëpunim me qytetarët, bizneset dhe institucionet tona lokale. Ky format i diskutimeve është formati më i mirë diskutimi sepse ne mësojmë nga njëri – tjetri dhe ju keni mundësinë me vendimmarrjes” - deklaroi Kryetari Rama.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, tha se tashmë vetëm se është nënshkruar kontrata për blerjen e kontejnerëve të rinj të cilët do të vendosen në lagje të ndryshme të Kryeqytetit. Po ashtu, po blihen edhe 8 kamionë për mbledhjen e mbeturinave.

Ndërsa Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit të Kryeqytetit, Florian Dushi, tha se ky takim është “Takimi i parë ku do të njoftohen bizneset dhe diskutojmë me ta për veprimet konkrete që Kryeqyteti si institucion i ka ndërmarrë dhe do t’i ndërmarrë për këtë cështje, dhe po ashtu për obligimet që i kanë marketet ndaj Kryeqytetit”.

Nga bizneset u kërkua që të ndajnë mbeturinat në kontejnerë të vecantë, dhe ju bë e ditur që në bazë të Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar në kuvend vitin e kaluar, marketet obligohen që të kenë kontejnerë para biznesve dhe nuk u lejohet që të hedhin mbeturina në kontejnerët e amvisërisë të cilët janë të vendosura në lagje e shfrytëzohen nga qytetarët.

Me këtë rast Kryetari Rama kërkoi nga bizneset që të respektojnë këtë rregullore dhe bashkërisht të punojnë që të zgjidhet shpejt ky problem.

“S’ka nevojë me ardh deri te gjoba, mirëpo për këtë duhet bashkëpunim të sinqertë, besim ndaj njëri – tjetrit duke krijuar një qark të besimit dhe për këtë nuk dyshoj se do të tejkalojmë këtë problem të madh bashkë” – u shpreh Kryetari Rama.

Përfaqësuesit e bizneseve shprehën shqetësimet e tyre, dhe u zotuan se do të respektojnë rregulloren por kërkuan që të ketë më shumë kontejnerë në kryeqytet, kërkesë e cila do të realizohet nga Kryeqyteti e Pastrimi.