Kryetari Rama bashkë me Nëndrejtoreshën e MCC, znj. Alicia Phillips Mandaville, vizituan shtëpinë e parë ku do të instaloheshin matësit dixhital dhe valvulat termostatike për ngrohje

- 22 May 2022

Prishtina HeatSave, projekti që po mundësohet nga bashkëfinancimi mes Millennium Foundation Kosovo dhe Komuna e Prishtinës, është me përfitime të shumta për sistemin e ngrohjes dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kryeqytet.

Projekti do t’u mundësojë rreth 17500 banesave dhe shtëpive private që prej dimrit të sivjetshëm ta kenë në dorën e vet sasinë e ngrohjes që konsumojnë prej Termokosit, me çka do t’paguajnë faturën në bazë të sasisë së konsumuar, e jo të sipërfaqes së banesës.

Kjo mundëson kursimin e energjisë termike, duke mos e përdorë gjatë kohës kur qytetarët nuk janë në shtëpi, e duke e ulë kësisoj edhe koston e faturave.

Shpenzimet për shërbimin e instalimit të pajisjes do të mbulohen tërësisht nga Prishtina HeatSave.

Kryetari Rama me Nëndrejtoreshën e Millennium Challenge Corporation - MCC, znj. Alicia Phillips Mandaville, gjatë vizitës së saj në Kosovë, ishin në shtëpinë e parë e cila do ta provojë këtë sistem të ngrohjes për të parë nga afër mënyrën e instalimit dhe operimit të tij.